Print

Promovohet në Prishtinë Libër Kujtimi i Kosovës

Prishtinë, 7 shtator 2011

 

Në organizim të Fondit për të drejtën humanitare dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë u bë promovimi i Libër Kujtimi i Kosovës, 1998 i cili përmban narrativet për 2.046 persona të vrarë, të rënë dhe të zhdukur gjatë luftës së Kosovës të vitit 1998. Sipas Natasha Kandiqit nga Fondi për të drejtën humanitare ky libër është shumë i rëndësishëm për shkak se përshkruan rrethanat e vrasjes së mijëra personave në Kosovë. “Për herë të parë në historinë e Ballkanit ne kemi një libër i cili përshkruan tregimin e viktimave dhe se do të shërbejë për gjeneratat e ardhshme do t’i referohet këtij libri kur flasin mbi atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, duke shtuar se “qëllimi i këtij libri nuk është barazimi i viktimave por t’i tregohet shoqërive në Serbi dhe Kosovë se çka ka ndodhur në këtë periudhë”. Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë foli për angazhimin e dhjetëra individëve në mbledhjen e të dhënave dhe mbi 8.400 intervistave të realizuara me familjarë të viktimave. “Ky libër nuk do të mund të realizohej pa ndihmën dhe bashkëpunimin e ofruar nga familjarët e viktimave”.

Ingrid Johanson nga Ambasada Suedeze në Prishtinë tha se ky publikim nuk është një publikim i rëndomtë. “Çdo viktimë në këtë libër na tregon një ngjarje të tij”. Duke folur për arsyet e përkrahjes së vazhdueshme nga Qeveria Suedeze të në realizimin e këtij projekti ajo tha: “Kemi kuptuar që  faktet e vërtetuara ndihmojnë procesin e pajtimit. Një proces i tillë nuk mund të imponohet nga bashkësia ndërkombëtare por duhet të vijë nga vet shoqëria. Që një shoqëri të prosperojë ajo duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj”, shtoi në fund Johanson.

Profesori i Universitetit të Prishtinës Mentor Agani duke e cilësuar si libër fakt-mbledhës tha: “Këtu fjala popull përdoret shumë pak. Këtu flitet për individë dhe krejt libri nga faqja e parë është vetëm për individë, duke u përpjekur të japë përgjigje të cilat çdo historian duhet t’ia shtrojë vetvetes”. Në anën tjetër gazetari dhe publicisti Halil Matoshi duke folur për rëndësinë e publikim të këtij libri deklaroi: “Është e rëndësishme për një shoqëri të mos harrojë në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur sepse kjo ndihmon që të falë dhe se ky libër nuk do të shfrytëzohet vetëm nga familjarë e viktimave, institucioneve qeveritare, organizatave ndërkombëtare por edhe nga historianët të cilët duhet të qesin dritë mbi të kaluarën” duke shtuar se “ky libër është një armë mbrojtëse kundër përsëritjes së historisë.

Në fund të këtij promovimi, Xhelil Ajvazi, familjar i viktimës ftoi institucionet qeveritare që të bashkëpunojnë më shumë me këta familjarë në mënyrë që të dihet sa më shumë për të vërtetën e tyre.

Share