Print

Historiku

Fondin për të drejtën humanitare (FDH) në vitin 1992 e ka themeluar Natasha Kandiq me qëllim të dokumentimit të krimeve të luftës gjatë konflikteve të armatosura në ish-Jugosllavi dhe shkeljeve të drejtave të njeriut në Serbi dhe Mal të Zi. Gjatë luftërave, nga janari i vitit 1991 deri në qershor të vitit 1999, si dhe në lidhje me luftën në Kosovë nga qershori i vitit 1999 deri në fund të vitit 2000, së paku 130.000 njerëz kanë humbur jetën apo dhunshëm janë zhdukur, dhjetëra mijëra njerëz kanë qenë të mbyllur në llogore dhe miliona njerëz kanë qenë të detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre dhe shtetin e tyre.

Në maj të vitit 1997, FDH ka hapur zyrën në Prishtinë. Deri me fillimin e bombardimeve të NATO-s, në të kanë punuar Shqiptarë dhe Serbë, hulumtues të shkeljeve të drejtave të njeriut. Deri me fillimin e konfliktit të armatosur ndërmjet forcave serbe të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në shkurt të vitit 1998, FDH është marrë me dokumentimin e represionit policor ndaj shqiptarëve, duke hulumtuar torturën, burgimin e paligjshëm, thirrjen masovike të shqiptarëve në biseda informative dhe gjykimet politike. Nga shkurti i vitit 1998, FDH fillon të hulumtojë vrasjet dhe zhdukjet e dhunshme (krimet e luftës) në Kosovë.

Gjatë intervenimit të NATO-s në vitin 1999, FDH e zhvendosi zyrën e saj në Mal të Zi ku ka vazhduar punën në dokumentimin e krimeve të luftës, para së gjithash me marrjen e deklaratave nga shqiptarët të cilët forcat serbe i kanë dëbuar nga Kosova. Pas Marrëveshjes së Kumanovës, të nënshkruar në qershor të vitit 1999 me të cilën ka përfunduar lufta, FDH kthehet në Prishtinë dhe vazhdon me hulumtimin e krimeve të luftës ndaj civilëve shqiptarë. Në të njëjtën kohë fillon të hulumtojë vrasjet dhe zhdukjet e dhunshme të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të njohur në opinionin kosovar si bashkëpunëtor të regjimit serb. Në Serbi formon ekipin e avokatëve të cilët vizitojnë të burgosurit shqiptar në burgje (2,200) dhe përfaqësojnë shqiptarë të shumtë në gjykimet e motivuara politikisht në Serbi.

Me vizion të qartë mbi nevojën e përgatitjes së Libër Kujtimi të Kosovës, FDH, në fillim të vitit 2006 fillon me verifikimin e të dhënave të mbledhura mbi krimet e luftës të kryera dhe formimin e ekipeve të hulumtuesve dhe analistëve në Kosovë dhe Serbi për hulumtimin e rrethanave të vrasjeve dhe zhdukjeve të dhunshme, ne periudhën kohore nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

FDH ka vazhduar të punojë në Kosovë pas tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe dhe ardhjen e forcave ndërkombëtare, kur në Kosovë ka qenë e paimagjinueshme të funksionojë një organizatë nga Serbia. Hulumtuesit, shqiptarë, serbë dhe boshnjak kanë vazhduar të punojnë në dokumentimin e krimeve të luftës si ekip, përkundër shumë pengesave dhe armiqësive ndërmjet bashkësive etnike dhe elitave politike në Serbi dhe Kosovë. Sot, kjo e gjitha duket shumë e lehtë, ndërsa në vitin 1999 dhe 2000 ishte shumë vështirë, puna e përbashkët kishte shkallë të lartë rrezikshmërie.

Në gusht të vitit 2009, FDH, ka nisur procesin e pavarësimit të zyrës në Kosovë i cili ka përfunduar në prill të vitit 2011 me regjistrimin e organizatës së pavarur jo-qeveritare FDH Kosovë. FDH dhe FDH Kosovë kanë vazhduar punën e përbashkët në përpilimin e Libër Kujtimit të Kosovës dhe në Koalicionin për themelimin e KOMRA-s.

Share